Kapet në Gjermani autori i plagosjes së Selami Brahimit në Shkodër
Policia tha se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 8 shkurt në Shkodër ku mbeti i plagosur Selami Brahimi. Autori i dyshuar i ngjarjes, Sulejman Kapllani është arrestuar në Gjermani dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë
"Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit"- thuhet në njoftimin e policisë.
POLICIA SHKODER:
Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi S. B.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin S. K.
Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Bashkëpunimi i shërbimeve tona policore me Interpolin është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar
DESHMIA
Selami Brahimi është personi që mbeti i plagosur këtë të enjte në lagjen “Xhabiej” në Shkodër. Gjatë të shtënave me kallashnikov ai ndodhej brenda në automjet. Autori është arratisur, ndërsa ende nuk dihet nëse është atentat apo konflikt i çastit.
Pas ngjarjes, Selami Brahimi është marre ne pyetje ku shprehur se po lëvizte në këmbë pasi sapo ishte larguar nga një pallat ku la mbesën e tij. Ai ka treguar se nuk ka arritur që të dallojë automjetin, nga ku është qëlluar në drejtim të tij dhe se s’ka probleme me askënd.
60-vjeçari ka deklaruar se s’ka pasur asnjë kërcënim dhe nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar në drejtim të tij, apo arsyen.
“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë.
Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askend dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, ka dëshmuar Selami Brahimi.
Ndërkohë mësohet se ndaj Selami Brahimit është qëlluar rreth 10 herë me kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.
60 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Si ndodhi ngjarja
Autori arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë ngritur pika kontrolli për krehjen e zonës.
Drejtori i policisë vendore të Shkodrës, Edmond Sulaj tha se po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe se po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë dhe po pyetën dëshmitarët dhe vetë i plagosuri.
“Në orën 17:50 këtu në lagjen “Xhabiej” është qëlluar me armë zjarri shtetasi Selami Brahimi i cili është plagosur lehtë dhe është duke marrë mjekim në spitalin e Shkodrës. Është formuar grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Janë duke u marrë kamerat e sigurisë si dhe po pyeten dëshmitarët okular që kanë dijeni për ngjarjen.
Ndërkohë do të intervistohet i dëmtuari. Sa i përket shkaqeve po punohet nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave. Jemi duke punuar intensivisht për ta zbardhur dhe sigurojmë qytetarët se policia vendore e Shkodrës ka të gjitha kapacitetet për të zbardhur ngjarje të tilla”, u shpreh drejtori Sulaj.
“Rreth orës 17:55, në lagjen “ 10 Korriku”, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri makina e shtetasit S. B.,(e cila ka qenë e ndaluar). Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën pronari i mjetit shtetasi S. B. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po këqyren kamerat e po vijon kontrolli i zonës nga shërbimet e Policisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet nga policia.