Kapet 49-vjeçari egjiptian në Durrës, i dënuar me burg për trafik njerëzish!

Një 49-vjeçar nga Egjipti është arrestuar në Durrës pasi akuzohet se kishte krijuar një organizatë kriminale për trafikun e qenieve njerëzore.
Mësohet se shtetasi me iniciale W.E., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi gjykata ka caktuar 20 vite burg.
"Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 36”. Akuzohet se krijoi në Itali, një organizatë kriminale për trafikim të qenieve njerëzore, kapet në Durrës, 49-vjeçari nga Egjipti.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 36”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, W. E., 49 vjeç, të lindur në Egjipt.
Gjykata e Katanias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Për këtë veprimtari kriminale ligji në Itali parashikon si dënim maksimal 20 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 49-vjeçarit, në Itali", njofton policia.


