Kandidati i Trump për ambasador në Shqipëri kalon testin e parë në Senat, ja çfarë premton për Tiranën

Aktualitet

Kandidati i Trump për ambasador në Shqipëri kalon testin e

Senati amerikan ka hapur rrugën për shqyrtimin përfundimtar të kandidaturës së Eric Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri. Rezoluta procedurale që lejon votimin në grup të 74 emërimeve të administratës amerikane u miratua me 50 vota pro dhe 47 kundër, ndërsa tre senatorë abstenuan.

Vendimi nuk përbën ende konfirmimin zyrtar të Wendt si ambasador, por i hap rrugën votimit përfundimtar në Senat për kandidatët e propozuar nga administrata amerikane.

Eric Wendt u nominua nga presidenti Donald Trump më 13 prill 2026 dhe para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë paraqiti prioritetet e tij për misionin diplomatik në Shqipëri.

Nëse merr miratimin e Senatit, Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023, duke i dhënë fund periudhës mbi trevjeçare ku Ambasada e SHBA-së është drejtuar nga të ngarkuar me punë.

Gjatë prezantimit të tij, kandidati për ambasador vendosi në fokus katër fusha kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve: sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e kapaciteteve diplomatike.

Wendt, ish-ushtarak me mbi 34 vite përvojë në ushtrinë amerikane dhe me angazhime në NATO e misione ndërkombëtare, vlerësoi rolin e Shqipërisë si aleat të rëndësishëm të SHBA-së.

Në fushën e sigurisë, ai synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Një tjetër prioritet është forcimi i bashkëpunimit ushtarak dhe rritja e kapaciteteve mbrojtëse e kibernetike të vendit.

Në planin ekonomik, Wendt ka vendosur në fokus nxitjen e investimeve amerikane në sektorë si teknologjia, inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe minierat, duke kërkuar një klimë më të favorshme për biznesin.

Gjatë seancës dëgjimore ai kujtoi edhe bashkëpunimin me forcat speciale shqiptare në kuadër të NATO-s dhe misioneve në Afganistan, duke vlerësuar kontributin e tyre në operacionet ndërkombëtare.

Konfirmimi i Eric Wendt pritet të jetë hapi i fundit për rikthimin e një ambasadori të emëruar në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri, në një periudhë ku marrëdhëniet mes dy vendeve fokusohen te siguria, mbrojtja dhe partneriteti strategjik.

ME TE LEXUARAT