I dha tenderin e sahateve të ujit 3.4 milionë euro, zbulohet data e fotos së Niko Peleshit me Mirel Mërtirin

TIRANE - Ditën e djeshme u publikua një foto bardh e zi të Niko Peleshit me bosin e incineratorëve Mirel Mërtiri. Rreth kësaj fotoje janë zbardhur detaje të reja ndërkohë që mësohet se imazhi në fjalë është tashmë pjesë e dosjes së SPAK.
Mësohet se fotoja në fjalë është pjesë e dosjes së SPAK, e cila po heton tenderin e vitit 2011 të bashkisë Korcë me vlerë 3.4 milionë euro për matësat elektronikë të ujit.
Tenderi në fjalë është fituar nga kompania e lidhur me Mirel Mërtirin.
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se fotoja është gjetur në kompiuterin e Klodian Zotos, i sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve për incineratorët.
Prokuroria vë në dukje se fotoja është realizuar në 13 prill 2013 ne Itali dhe në të përvec Mirel Mërtirit, shfaqen kryetari i bashkisë së Korcës në atë kohë Niko Peleshi dhe shtetasi Petrit Tare.
Qëndrimi disa ditor në Itali, ku kishte udhëtuar bashkë me Mirel Mërtirin dhe drejtorin e ujësjellësit Korcë, Petrit Tare, sipas prokurorisë dyshohet se është mbuluar financiarisht nga biznesmeni i incineratorëve (biletat e udhetimit, kostot e transportit, qendrimin ne hotel dhe vaktet e ushqimit).
Z.Peleshi i pyetur në prokurori ka thënë se ishte i ftuar nga ujësjellësi në këtë vizitë, ndërkohë që në anën tjetër Tare ka mohuar të ketë paguar dhe ka shprehur dyshimet se financimi i qëndrimit disa ditor në Itali, është mbuluar me shpenzimet e Mirel Mëririt.
Arësyeja e udhëtimit në Itali, e Peleshit me Mërtirin, mendohet se ka qenë shikimi i disa shembujve të investimeve atje me qëllim pjesëmarrjen në tendera dhe investime në Korcë.
Në ato ditë, rezulton se drejt italisë ka udhëtuar edhe Arben Ahmetaj që mendohet se është takuar atje me Mirel Mërtirin dhe Niko Peleshin.
Ky i fundit aktualisht është Ministër i Mbrojtjes dhe është thirrur në SPAK disa herë për tu marrë në pyetje ndërkohë që ende nuk është e qartë pozita e tij në raport me hetimet.
Objekt i verifikimeve të prokurorisë, është mundësia që Mirel Mërtiri të jetë favorizuar nga bashkia e Korcës në tenderat e këtij institucioni falë njohjes me zyrtarët e lartë dhe shpenzimeve që ka kryer për udhëtimet e tyre brenda e jashtë vendit.
Mirel Mertiri eshte shpallur ne kerkim nga SPAK, nderkohe qe eshte denuar ne mungese ne shkallen e pare per abuzimet me incineratoret e Fierit dhe Elbasanit. /lajmifundit.al


