Gjyshërit morën 3-vjeçarin nga e ëma, reagon policia e Durrësit: Ende nuk e kemi gjetur fëmijën

Policia e Durrësit ka reaguar pas denoncimit të një 23-vjeçareje se vjehrri dhe vjerra e saj kanë marrë prej ditësh fëmijën e saj 3 vjeç dhe se nuk kishte asnjë informacion se ku ndodhej ai.
Policia bën me dije se pavarësisht kërkimeve në shtëpinë e dy gjyshërve të fëmijës, ende nuk ka asnjë gjurmë nga 3-vjeçari. Gjithashtu, mësohet se është proceduar penalisht 60-vjeçari, Rexhep Gjuni, gjyshi i djalit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij.
Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”.”
“Rrëmbyen” 3-vjeçarin në Durrës, arrestohet gjyshi pas denoncimit të nënës, në kërkim gjyshja

Një fëmijë 3-vjeçar ka humbur në Durrës prej ditësh, pasi është marrë nga gjyshërit në takimin e përjavshëm të shtunën.
Nëna ka bërë apel mes lotësh që vjehërrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata.
Pas denoncimit të gruas, Policia ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gjuni, ndërsa janë në kërkim të gjyshes.
Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo thotë se pas vdekjes së të shoqit në aksident e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma.
Në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e fëmijës është shoqëruar dhe një tjetër person. Rexhep Gjuni, 58 vjeç, nuk ka deklaruar ende se ku ndodhet fëmija, babai i të cilit humbi jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.
Burime nga policia thonë se prej 3 ditësh vijojnë kërkimet për të gjetur djalin 3 vjeçar. Kontrollet janë shtrirë dhe në Kukës, po pa rezultat.
Familja është banuese në zonën e ish-Kënetës ku jeton prej vitesh pas ardhjes nga Kukësi.
“Nuk tregon se ku është fëmija, thotë që nuk e di gënjen, familja është nga Kukësi, unë jam nga Dibra, ata janë në Durrës, dua të më sjellin djalin, nuk e di a është gjallë, a është jashtë shtetit, qëkur ka vdek burri marrëdhëniet nuk janë mirë, jetoj tek babi në kënetë në Durrës, i kemi afër, nuk janë tek shtëpia, thonë që nuk janë aty. Prej katër ditësh nuk është”, tha 22-vjeçarja.
I ati humbi jetën në aksident, gjyshërit në Durrës “zhduken” me 3-vjeçarin, nuk ia dorëzojnë nënës

Prej katër ditësh nuk dihet fati i një fëmije 3-vjeç, i cili është marrë nga gjyshërit e tij nga ana e të atit.
Rexhep Gjuni, 58 vjeç, është ndaluar nga policia pasi nuk tregon ku ndodhet i mituri.
Babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik dhe i mituri jetonte me nenën e tij.
Uniformat blu prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e të miturit, por ende nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet.
Nëna e 3-vjeçarit ka deklaruar se gjyshërit kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por nuk e kanë kthyer më.
Ajo ka pritur disa orë dhe kur vjehrri me vjehrrën nuk i kanë kthyer fëmijën i ka telefonuar, por celulari i tyre ka rezultuar i fikur.
Gruaja ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën.
Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Më pas, Rexhep Gjuni ka refuzuar të bashkepunoj me policinë.
“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë femijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3 vjeçar.


