Haga ngre aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, arrestohen tre persona të tjerë
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën dyshimin për pengim të drejtësisë, dhe se i ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Në një njoftim për media, ZPS-ja tha se i ka arrestuar ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është urdhëruar të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, thuhet në njoftim.