GRABITJA E 60 MIJË EUROVE NË "OTP BANK"/ Dy rastësi që ngritën dyshimet për një “dorë nga brenda”, si u zhduk hajduti pa lënë gjurmë

Një grabitje e mirëorganizuar prej 60 mijë eurosh në ambientet e “OTP Bank” në Tiranë vijon të mbetet pa autor, ndërsa hetuesit po fokusohen te pista e një bashkëpunimi të mundshëm me një punonjës të bankës.
Ngjarja ndodhi më 2 dhjetor, kur një person i armatosur arriti të depërtojë lehtësisht në ambientet e brendshme të bankës, të marrë shumën e konsiderueshme të parave nga arka dhe më pas të largohet me shpejtësi me një skuter, pa u identifikuar.
Megjithëse policia dhe prokuroria kanë analizuar një numër të madh pamjesh filmike për të ndjekur itinerarin e autorit, identiteti i tij mbetet ende mister.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e grupit hetimor janë dy rrethana të pazakonta. Së pari, grabitësi hyri në bankë pikërisht në momentin kur punonjësi i sigurisë në hyrje, Fehmi Ccullhaj, ishte larguar për pak minuta në tualet.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Ccullhaj ka deklaruar se dera e bankës kishte mbetur e hapur pasi ai kishte harruar ta mbyllte nga brenda gjatë largimit të tij.
Dyshimet janë shtuar edhe nga një tjetër detaj. Autori është drejtuar menjëherë te sportelet në një moment kur tre arkëtaret sapo kishin marrë valutën financiare, duke pasur në dispozicion një shumë të konsiderueshme parash.
Nën kërcënimin e armës, arkëtaret i dorëzuan grabitësit rreth 60 mijë euro. Sipas procedurave të zakonshme, në sportele nuk duhet të mbahen shuma të mëdha monetare, çka ka ngritur pikëpyetje mbi faktin nëse autori kishte informacion paraprak për lëvizjet e parave brenda bankës.
Për hetuesit, këto dy elemente krijojnë dyshime se grabitësi mund të ketë pasur mbështetje nga një person i brendshëm. Megjithatë, deri tani nuk janë siguruar prova që të vërtetojnë një bashkëpunim të tillë.
Më shumë se pesë persona janë shoqëruar dhe pyetur në polici, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar si autor i grabitjes.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për punonjësin e sigurisë, Fehmi Ccullhaj, i cili po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Hetimet për zbardhjen e plotë të grabitjes vijojnë.


