Goditet shitja e cigareve kontrabandë në Tiranë, policia arreston 53-vjecarin
Policia e Tiranes ka goditur nje rast te kontrabandes se cigareve.
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Hide”.
Vihet në pranga 1 shtetas që tregtonte paketa me cigare të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga subjekti i tij tregtar.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sekuestrohen rreth 150 steka me cigare të llojeve të ndryshme, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Hide".
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 53 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin dhe në automjetin e shtetasit L. H., në rrugën "Hamdi Pepo", shërbimet e Policisë gjetën rreth 150 steka me paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të këtij shtetasi. Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas fshihte të ardhurat e përfituara nga tregtimi i mallrave dhe produkteve, në dyqanin e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.