Fotografoi tezën e provimit, përjashtohet maturanti në Durrës! Masa dhe për administratorët

Ministria e Arsimit ka reaguar në lidhje me një incident të ndodhur në Durrës, gjatë procesit të testimit të maturantëve në provimin e lëndëve me zgjedhje.
Në njoftim, ministria deklaron se një nga maturantët ka fotografuar testin, duke bërë që teza të publikohej masivisht. Sipas ministrisë, maturanti është përjashtuar, teksa do të merren masa edhe ndaj administruesit të provimit në atë shkollë.
"Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e saj nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar si dhe ekipet e administratorëve të provimeve dhe vlerësuesit e tyre janë angazhuar maksimalisht në procesin e administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore, duke garantuar standardet më të larta në organizim, ruajtjen e konfidencialitetit të testeve dhe zhvillimin korrekt të procesit të testimit.
Në këtë kuadër, theksojmë se çdo akt i publikimit të testit pas përfundimit të provimit, megjithëse nuk cenon vlefshmërinë e tij, është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Dalja e testit në rrjete sociale përpara publikimit zyrtar përbën një shkelje serioze të etikës dhe rregullave të provimit, dhe ndaj këtij fenomeni Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar menjëherë", thuhet në njoftim.


