Flutura Açka shkruan librin e Bashës? Kandidatja e PD: Ja roli im në atë vepër

Një deklaratë ka ardhur nga kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit Flutura Açka, lidhur me librin e Lulzim Bashës. Açka gjatë një interviste televizive hodhi poshtë zërat që qarkulluan sot në media nga mbështetës të shumicës, se është ajo autorja e librit të kreut të PD Lulzim Basha.
“Janë qasjet e tij, flet për opozitën e tij, ekonominë dhe kulturën. Pavarësisht se dëgjova zëra se e kam shkruar unë. Unë mendoj se nuk mund të kem aq fuqi sa të shkruaj një libër të kësaj natyre. Pozicioni im është i botuese. Unë e kam marrë veprën në fund të janarit, fillim të shkurtit. Roli im në këtë vepër është si botuese dhe do e mbroj këtë vepër.
Rezultati nuk mund të përcaktohet nga karakteri i liderit. PS ka një lider që shan çdo gruan. Unë ndihem e fyer si qytetare kur një femër fyhet ashtu. Në këto zgjedhje do e bëjë diferencën ajo listë që keni parë. Kjo është e para. E dyta është fundi që ka mbërritur në durimin e qytetarëve”, tha Açka.
Kujtojmë që një ditë më parë, kryedemokrati Basha publikoi librin “Misioni im”, rreth një muaj para zgjedhjeve, si një letër e hapur për shqiptarët në prag të 25 Prillit. Në libër, Basha përmend të gjitha fazat e jetës, duke i dhënë një hapësirë familjes, qasjes së tij në politikë dhe planit për qeverisjen e vendit.


