Florenc Çapja arrin sot në Rinas! Kush është “truri” i bandës së Elbasanit që ka mbi supe burg përjetë

Aktualitet

Florenc Çapja arrin sot në Rinas! Kush është

Florenc Çapja, një ndër eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan, pritet të prekë pasditen e kësaj të premte tokën shqiptare qëkur u largua për t’i shpëtuar kundërshtarëve dhe drejtësisë që ka firmosur për të burgim përjetë.

Policia e Shtetit ka njoftuar se falë bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, ka mundur të shkëmbejë informacione në kohë reale me autoritetet në Emiratet e Bashkuara dhe nga strukturat e specializuara atje, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja e 44 vjeçarit nga Elbasnai.

“Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit Florenc Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan. Për informacion më të detajuar, do të japim njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas”, thuhej në komunikatë.

Kush është Florenc Çapja

44 vjeçari konsiderohet si një ndër eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan dhe nipi i kreut të bandës së Çapjave, Ardian Çapja. Të dy këta persona, xhaxha e nip janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme për porositjen e vrasjes së shtetasve Nezir dhe Gentian Beqiri, babë e bir që u ekzekutuan në shtëpinë e tyre më 12 gusht 2012.

Sipas hetimit të kryer nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, vrasja e tyre është porositur nga Ardjan e Florenc Çapja. Ervis Bardhi e Olsi Leku janë paguar me 50 mijë euro, ndërsa Klajdi Dokli në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë banor i lagjes dhe ka vëzhguar me imtësi personat që hynin dhe dilnin nga shtëpia e familjes Beqiri.

Këto informacione ai jua jepte anëtarëve të familjes Çapja, çka solli më vonë dhe krimin e rëndë.

Edhe Etien Cani ka pasur rolin e informatorit. Ditën e ngjarjes ai ka parë nënën e Gentian Beqirit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar dhe mandej ka informuar atentatorët. Veç nënës, janë larguar nga hyrja e pallatit për të qëndruar brenda në makinë dhe dy policët që bënin roje.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në GJKKO kërkesën për konfiskimin e pasurive të paluajtshme të shumëkërkuarit për vrasje, Florenc Çapja. Këto pasuri janë sekuestruar gjatë një hetimi pasuror, të cilat Çapja nuk justifikon dot prejardhjen duke ngritur dyshimet se janë siguruar nga aktivitete kriminale.

Dhjetë pasuritë e sekuestruara përfshijnë toka, ndërtesa, automjete si dhe subjekte ekonomike me veprimtari Bar Kafe e lavazh.

1- Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.

2- Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m2 , sipërfaqe ndërtese, 25.73 m2 , me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

3- Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).

4- Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

5- Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.

6- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

7- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

8- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

9- Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.

10- Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

 

ME TE LEXUARAT