Firmosen 9 urdhëra arresti, nis goditja e "mafias" së mikro-kredive, vodhën 100 mijë shqiptarë

Aktualitet

Firmosen 9 urdhëra arresti, nis goditja e "mafias" së

Nëntë persona u vendosën në masë sigurie arrest me burg apo arrest shtëpie të enjten nën dyshimin se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtëshme apo të paluajtëshme.

Prokurorët thonë se kanë identifikuar raste kur agjencitë përmbarimore të dyshuara kanë lëshuar urdhër bllokimi për pronat e qytetarëve që nuk kanë marrë kurrë kredi.

“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera,” deklaroi prokuroria në një njoftim për shtyp.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kompania MCA Albania, e cila u bë simbol i një tregu spekulantësh të shit-blerjes së kredive të këqija përgjatë dekadës së fundit, në rastin nën hetim bleu gati 4 mijë kredi të pashlyera nga banka Procredit me vlerë totale prej 7.3 milionë eurosh. Ajo përdori shtrëngimin përmes bllokimit të pronave për të detyruar debitorët e falimentuar që të merrnin kredi të reja po te e njëjta kompani për të shlyer të vjetrën, duke krijuar një zinxhir zhvatës.

Praktika e bllokimit të pasurisë së paluajtëshme të një kredimarrësi kredie pa kolateral, e cila është zbatuar nga përmbarimorët, por edhe nga gjykatat, duket se bie ndesh me vetë themelin e kredimarrjes pa kolateral dhe del nga kontrata e huasë. Në botën e bankingut, kreditë me kolateral mbartin interesa të ulëta dhe në rast se huamarrësi nuk e shlyen kredinë, kredidhënësi merr pronën e lënë në kolateral dhe e nxjerr atë në shitje për të shlyer detyrimin kontraktor.

Nga ana tjetër, kreditë pa kolateral në mënyrë tipike kanë interesa shumë më të larta pikërisht për shkak se banka nuk ka garanci për shlyerjen e saj. Rrjedhimisht urdhrat e bllokimit të pasurive të kredimarrësve pa kolateral të falimentuar dukshëm bie ndesh me konceptin themelor të kredidhënies pa kolateral.

Prokurorët dyshojnë gjithashtu që llogaritjet e kamatëvonesave të debitorëve bëheshin në mënyrë mashtruese.

“Këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania' Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 lekë,” vërejnë prokurorët.

“Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi”, vëren prokuroria.

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe ka dërguar në SPAK për hetime të mëtejshme përgjegjësinë e mundshme penale të zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, përfshirë guvernatorin Gent Sejko, i cili dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar abuzimet e MCA. Sipas prokurorëve, Sejko ka dërguar grup inspektimi te MCA në vitin 2020 ndërsa ka ndërmarrë masa për bllokimin e pjesshëm të aktivitetit të saj vetëm dy vjet pasi inspektorët e BSH  kishin vërejtur probleme në administrimin e kompanisë.

Sejko, i cili u thirr për pyetje në parlament në lidhje me këtë çështje, e konsideroi problemin si një çështje ligjore jashtë fuqisë vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë dhe sugjeroi që kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privat.

Firmosen 9 urdhëra arresti, nis goditja e "mafias" së

Nese sheh faqen zyrtare te MCA, ajo eshte ende aktive, dhe ne te, te renditur si partnere gjen edhe Raiffeisen Bank, nje nga bankat me te medha por me problematike ne vend sa i perket transferimit te kredive te saj te keqija tek Micro Credit Albania. Numri i te demtuarve nga skema e mikro kredive eshte me shume se 100 mije qytetare shqiptare.

Njoftimi i plote i prokurorise:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ të parashikuar nga neni 143/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat. 

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera. 

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike. 

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
    Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi. 

Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. 

Po kështu u provua se shtetasja K.S., në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.

Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’ parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.

Përveç sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çmoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe gjykata vendosi:

1 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;
2 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.; 
3 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.; 
4 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.; 
5 - Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;
6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;
7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;
8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe
9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.

Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

ME TE LEXUARAT