Evropa konsideron paketën e mbrojtjes në përgjigje të presionit të Putinit dhe Trump mbi Ukrainën

Një paketë e re masash po shqyrtohet nga zyrtarët evropianë që synon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e mbështetjes për Kievin, ndërsa Presidenti Donald Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë.
Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, planet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes pritet të shpallen pas zgjedhjeve të së dielës në Gjermani, në mënyrë që të shmanget shkaktimi i trazirave politike.
Një grup liderësh të BE-së janë thirrur në Paris për të përcaktuar “mënyrën se si do të reagojë Evropa”, pas deklaratave të zyrtarëve amerikanë të cilët e bënë të qartë se SHBA-ja ka vendosur një kufi për veprimet që janë të gatshme të ndërmarrin në mbështetje të Ukrainës.
Nevoja për të rigjallëruar fuqinë ushtarake të Evropës po bëhet gjithnjë e më urgjente, pasi, pas pothuajse 80 vjetësh, kontinentit i kërkohet të marrë një pjesë më të madhe të sigurisë së tij, duke qenë deri tani të varur kryesisht nga SHBA.
Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se presidenti është i vendosur të lërë Evropën të marrë përgjegjësinë e plotë për sigurinë e saj nëse refuzon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes.
Situata është urgjente sepse Trump po ecën përpara me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe zyrtarët evropianë shqetësohen se presidenti Volodymyr Zelensky mund të jetë nën presion për të pranuar një marrëveshje katastrofike nëse nuk mund të dalin shpejt me një plan për t’i dhënë atij mbështetje ushtarake.


