Euro 25/ Shpresat e Alban Bushit s'ia dalin, Zvicra fiton 1-3 në 'Air Albania'

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka humbur 1-3 nga moshatarët e Zvicrës në "Air Albania". Dueli i zhvilluar në Tiranë vlente për grupin E të kualifikueseve të Euro 2025 për këtë moshë, teksa tanët nuk mundën të fitonin as këtë duel, ndërsa katër ditë më parë barazuan 0-0 kundër Finlandës po në Tiranë.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simoni, Dajko, Gjini, Bajrami, Buxhelaj, Berisha, Feta, Mjaki, Rashica, Pajaziti dhe Nikaj. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Selimaj, Stiven Shpendi, Frroku, Rexhepi e Kurtulan.
Ndeshja për miqtë u zhbllokua nga Surdez në minutën e 29-të, teksa në fraksionin e dytë Sanches (60') dhe Keller (76') mbyllën llogaritë e ndeshjes. Në fund të takimit, Stiven Shpendi shënoi golin e vetëm për tanët në të 90+3 minutë.
Pas shtatë ndeshjeve të luajtura, kuqezinjtë e vegjël mbajnë vendin e katërt me dhjetë pikë, po aq sa ka edhe Finlanda që mban vendin e tretë. Grupi E kryesohet nga Zvicra me 14 pikë dhe Rumania me 13 pikë. Ndërkohë që Mali i Zi dhe Armenia janë në vendet pesë dhe gjashtë.
Ndeshja e radhës për Kombëtaren U-21 të futbollit është më 7 qershor kundër Malit të Zi, teksa më 6 shtator përballen me Zvicrën. Kjo fushatë mbyllet më 15 tetor kundër Armenisë.


