EMRI/ U dëbua drejt Shqipërisë, gjykata franceze rrëzon vendimin për shqiptarin

Aktualitet

EMRI/ U dëbua drejt Shqipërisë, gjykata franceze rrëzon

Gjykata Administrative në Francë ka vendosur të shfuqizojë vendimin për dëbimin e shtetasit shqiptar Fatjon Salihi, i cili ishte deportuar drejt Shqipëri më 23 shkurt 2026 nga autoritetet e prefekturës së Jurës.

Sipas mediave lokale franceze, vendimi i gjykatës është marrë më 5 mars dhe anulon të gjitha masat administrative të vendosura ndaj tij. Megjithatë, familjarët e Salihit ende nuk kanë një përgjigje të qartë se kur dhe në çfarë mënyre ai do të mund të rikthehet në Francë.

Dëbimi i tij kishte shkaktuar reagime në komunitetin ku jetonte, pasi shqiptari ishte larguar duke lënë në Francë bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, 6 dhe 4 vjeç. Ai kishte gjithashtu një kontratë të përhershme pune në sektorin e ndërtimit, ku mbante detyrën e drejtuesit të kantierit.

Salihi dhe bashkëshortja e tij, Berina Salihi, kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Ai punonte në kompaninë e ndërtimit RP Routes, ku me kalimin e kohës kishte marrë përgjegjësi më të mëdha deri në pozicionin e shefit të kantierit, një profesion për të cilin sektori i ndërtimit shpesh përballet me mungesë punonjësish.

Familja jetonte në Andelot-en-Montagne, Francë. Çifti ka dy fëmijë: djali 6-vjeçar i lindur në Shqipëri dhe vajza 4-vjeçare e lindur në Francë.

Sipas Arnaud Dulong, përfaqësues i shoqatës Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés (AJIR), e cila po asiston familjen, vendimi i gjykatës është pozitiv pasi rrëzon të gjitha masat e vendosura ndaj Salihit. Këto përfshijnë detyrimin për të lënë territorin francez, ndalimin e rikthimit në Francë, refuzimin e një afati për largim vullnetar si dhe masën e qëndrimit të detyruar.

Megjithatë, sipas tij, procesi nuk është përmbyllur ende dhe mbetet e paqartë se kur shqiptari do të mund të kthehet pranë familjes së tij.

Ndërkohë, ai theksoi se dy fëmijët e familjes nuk flasin shqip, gjë që tregon përpjekjet e tyre për t’u integruar në shoqërinë franceze. Salihi ka gjithashtu familjarë që jetojnë prej kohësh në Francë, përfshirë një motër që ka marrë shtetësinë franceze.

Ende nuk është e qartë nëse shqiptari ka marrë pasaportën e tij, e cila sipas raportimeve mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek autoritetet shqiptare./Shqip

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion