Emrat/ Zgjidhet kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ja kush u emërua dhe nënkryetar

Megi Fino zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak. Me propozim të Kryetarit të Grupit të këshilltarëve socialist, Eridian Salianji, Fino u propozua në krye të këshillit bashkiak, ndërsa Endrit Braimllari në postin e nënkryetarit. Megi Fino do të zëvendësojë në këtë detyrë Romina Kukon.
Megi Fino lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma i përfundoi në Pekin në vitin 2012.
Më pas studioi drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.
Fino u angazhua si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, me orientim asistencë sociale.
Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, si dhe njeh mirë gjuhën kineze, italiane dhe greke.
Megi Fino shërben si Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga qershori 2021.


