Dhunoi dhe kanosi bashkëshorten! Policia zbardh DETAJE nga arrestimi i Elvis Kosovës në Palasë

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e Elvis Kosovës, i njohur ndryshe edhe si “Visi i garave”, mesditën e kësaj të diele në Vlorë.
Policia bën me dije se 40-vjeçari është vënë në pranga pasi kërcënoi dhe dhunoi bashkëshorten e tij. Sipas policisë, rreth orës 13:40 është marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në Palasë.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, policia ka gjetur një pistoletë. Po ashtu kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e tij në Tiranë, ku u gjetën dhe u sekuestruan dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Njoftimi i policisë:
Palasë/ Dhunoi dhe kanosi bashkëshorten, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak.
Rreth orës 13:40 është marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për përballimin dhe neutralizimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Shërbimet e Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë, kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasi E. K. dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.
Shtetasi E. K. është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.


