EMRAT/ Vodhën para dhe bizhuteri në një apartament në Tiranë, arrestohen dy autorët

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuar si autorë të një vjedhjeje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 8 majit në zonën e Laprakës.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit janë identifikuar si Denis Shkalla dhe Martin Dado, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kryer vjedhjen në banesën e shtetasit Rigers Vrapi, në rrugën “Pandi Dardha”.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se autorët, të maskuar me kapuç dhe maska, kanë hyrë në pallatin ku ndodhej apartamenti dhe, pasi kanë realizuar vjedhjen, janë larguar me shpejtësi, duke marrë edhe automjetin e tyre të përdorur për arratisje.
Sipas policisë, ata kanë arritur të marrin rreth 28 mijë euro cash, si dhe bizhuteri floriri me vlerë të konsiderueshme. Shuma e vjedhur ende nuk është gjetur nga grupi hetimor.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se të arrestuarit nuk njiheshin me pronarin e banesës, por dyshohet se janë orientuar nga persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Gjithashtu, rezulton se të dy kanë precedentë të mëparshëm penalë në Itali dhe Francë për vjedhje, si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë vijojnë.


