EMRAT/ Pjesë e grupit të Suel Çelës, arrestohen dy vëllezërit e drejtoreshës së AZHT-së

Dy prej personave për të cilët SPAK ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg” në kuadër të operacionit për goditjen e grupit të Suel Çelës janë dhe dy vëllezërit Marsel dhe Xhino Roka, respektivisht 37 vjeç dhe 33 vjeç.
Burime për mediat bëjnë me dije se se Marsel dhe Xhino Roka janë vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka.
Kjo e fundit u emërua në krye të AZHT-së në fillimit të nëntorit të vitit 2023 dhe tashmë bën më shumë se 1 vit në krye të këtij institucioni. Ajo zëvendësoi në atë post Ledia Totan, drejtoreshën më jetëgjatë të AZHT-së.
Vitet e fundit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit kanë qenë në qendër të debateve publike për hovin e madh të lejeve të ndërtimit, veçanërisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare të vendit.
Xhino Roka, vëllai i drejtoreshës, Adelajda Roka, konsiderohej nga SPAK si një prej anëtarëve kyç të bandës së drejtuar nga Suel Çela, mbi të cilën rëndojnë akuza për veprat penale nga trafiku ndërkombëtar i lëndeve narkotike, tek korrupsioni e deri tek vrasjet e kundërshtarëve të tij.


