Emergjencë zjarresh në vend: 24 vatra aktive, mbi 150 hektarë tokë e shkrumbuar

Aktualitet

Emergjencë zjarresh në vend: 24 vatra aktive, mbi 150 hektarë

Shqipëria po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë disa zona të vendit. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 24 vatra aktive, ndërsa zonat më të goditura mbeten Dibra, Fieri dhe Vlora.

Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, deri tani janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe mjedisore.

Në përpjekje për të përballuar situatën janë angazhuar 538 forca operacionale, 57 mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë, të cilët kanë ndërhyrë nga ajri ditën e djeshme. Gjithashtu, që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura me pesë automjete zjarrfikëse janë vendosur në terren për të ndihmuar në zonat më problematike.

Zjarri më i rrezikshëm vijon të jetë në Parkun Kombëtar të Lurës, ku dy vatra janë ende aktive, një pranë Gurë Lurës dhe një tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it. Në Malin e Dejës, flakët po përhapen drejt bashkisë Mat, ndërsa në Bulqizë, Mali i Peladhisë është përfshirë nga zjarri me rreth 32 hektarë të djegur. Një tjetër vatër mbi fshatin Vlash mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

Në Fier dhe Mallakastër, vatra në zonën Drenovë–Gorishovë vazhdon të jetë aktive, duke rrezikuar edhe ullishtet e fshatit. Ndërkohë në Himarë, zjarri në Borsh ka prekur një sipërfaqe pyjore; megjithëse është zbutur, ende nuk është izoluar plotësisht. Ushtria është në terren dhe po ndihmon në përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, nuk parashikohen reshje, ndërsa rreziku për përhapjen e mëtejshme të flakëve mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Strukturat e Mbrojtjes Civile ndodhen në gatishmëri të plotë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë menjëherë numrin 112 për çdo rast zjarri.

ME TE LEXUARAT