Ekzekutimi i shtetasit portugez në Ksamil/ Sokrat Vata me 10 të arrestuarit dalin sot përballë togave të zeza në Sarandë

Këtë të premte në orën 11:30 do të dalin para Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë Sokrat Vata dhe 10 të tjerë të përfshirë në vrasjen e portugezit në Ksamil.
Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçari me shtetësi portugeze, por me banim në Francë, mbeti i vrarë në Ksamil, duke u gdhirë e marta e 18 gushtit. Në Shqipëri, kishte mbërritur vetëm dy ditë para bashkë me 8 miq të tij nga Franca.
Mbrëmjen e 17 gushtit miqtë iu bashkuan një feste me Dj francezë në klubin e kompleksit luksoz në Ksamil, “Principote”. Pas orëve të tëra mes muzikës e festës, të rinjtë dolën nga klubi me batuta mes njëri-tjetrit. 3 francezë të tjerë jashtë grupit të tyre, ndoshta nën efektin e alkoolit, ndërhynë duke u thënë, se nëse kanë ndërmend të debatojnë, të zihen me grushte, ose ndryshe të largohen.
Në mesin e kësaj situate disi të tensionuar me tone të ngritura, burime policore thanë për Report Tv, se në skenë hynë punonjësit e “Principote”, pritësit e turistëve (hostess) Davidi Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanik dhe Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, të dy 29-vjeçarë. Ata u kërkuan grupeve të turistëve të ulnin zërin dhe të mos bënin zhurmë dhe i ofenduan.
I pari që goditi në kokë portugezin ishte Davidi Heurtevent, i shpallur në kërkim. Më tej, Sokrat Vata, e goditi me thikë 20-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje, në një shezlong në plazhin fare ngjitur me klubin e natës së “Principotes”.
Sokrat Vata u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e makinës së një çifti turk, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilëve siç burimet thonë, mund t’i ketë ofruar edhe para për ta çuar drejt Tiranës. Me ta kishte krijuar njohje pasi ishin klientë të rregullt në kompleksin turistik në Ksamil.
4 kamerierë, të cilët u arrestuan, ndërhynë në sherr kur panë të përfshirë dy punonjësit e tjerë të kompleksit, por janë larguar prej aty përpara se i riu të goditej me thikë. Miqtë francezë treguan me detaje në polici të gjithë situatën.
4 truproja të kompleksit në Ksamil u arrestuan dhe pezulluan nga detyra, Miosid Matushaj, oficer policie ne Gjirokastër, Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit, Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër dhe Kristi Koshi. Ata nuk ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, dhe as njoftuan policinë.
Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe pronari i 'Principotes', i cili ishte aty në mometin e ngjarjes, por më pas u largua pa e kallëzuar lajmin në polici.
Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
1. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
2. Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
3. Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
4. Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
5. Ervis Bunci – kamerier në lokal.
6. Ildi Cekani – kamerier në lokal.
7. Murat Zhabina – kamerier në lokal.
8. Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
9. Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
10. Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
11. Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
12. David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
13. Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.


