Ekzekutimi i efektivit të "Shqiponjave" në Fier, eksperti zbardh detaje: Është gjetur një telefon
Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, është shprehur se autori i dyshuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” në Fier, Novruz Cenaliajt, mund të ketë shkuar në drejtim të Vlorës ose të Tepelenës, megjithëse sipas tij asgjë nuk është e vërtetuar.
Komentet Softa i bëri në një studio televizive, ku tha se autori i dyshuar Azgan Mërnica mund edhe të jetë fshehur në një zonë të afërt me shtëpinë e tij, ndoshta në një banesë tjetër.
Softa tha gjithashtu se raportohet se është gjetur edhe një telefon, por që nuk dihet ende nëse i përket autorit apo viktimës.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ai tha se nëse është i autorit, pasi të zbulohen thirrjet, do të shihet nëse autori ka kërkuar ndihmë nga persona të cilët i njeh, për t’u arratisur.
“Nuk kemi forca të ndërhyrjes së shpejtë të dislokuara nëpër qarqe. Dhe këto vonesa sigurisht ndikojnë. Kemi ngritjen e postblloqeve, që janë të ngritura nga shërbimet e Policisë, sa herë kemi pasur ngjarje, por në asnjë rast nuk kanë qenë efektive. Sa herë kemi pasur atentat e kemi provuar që nuk kanë funksionuar. Edhe pse nuk e kishim të identifikuar autorin, përsëri kemi gjetur vetëm mjetin që është djegur dhe personat janë larguar.
Nuk është se është rasti i tillë, pasi kemi identifikim të personit dhe drejtimin ku mund të ketë shkuar. Së pari duhet të verifikojmë atë që thonë se është gjetur një telefon, por nuk dihet nëse është i viktimës apo i autorit. Duhet të shikojmë edhe thirrjet telefonike, sepse me siguri personi duhet të ketë kërkuar ndihmë dhe mund të jetë ndihmuar edhe nga personat të cilët i njeh.
Mund të jenë edhe strehime, nuk është e thënë të ketë shkuar në një territor shumë të largët. Policia duhet të ketë edhe një forcë lëvizëse siç janë helikopterët. Mundësia e mbajtjes së zonave ku ai mund të depërtojë, është e mundur. Por thamë janë drejtimi i Tepelenës, i Vlorës apo drejtime të tjerë dhe nuk e dimë ku mund të ketë ikur”, tha Softa.