Dyshohet se u përfshinë në baste sportive, AMP ekzekuton masat e sigurisë ndaj 6 punonjësve të Policisë!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë) ka ekzekutuar vendimet e gjykatës për 6 efektive në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet”.
Gjykata ka caktuar masa sigurie ndaj 6 punonjësve të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe një efektiv i njësisë speciale RENEA, si dhe ndaj 1 shtetasi civil, të dyshuar për përfshirje në organizimin dhe favorizimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është caktuar për Nënkomisar R.T., specialist për krimet, Stacioni i Policisë Manëz (Durrës), Inspektor E.K., ndihmës specialist/kontrollor, Policia Kufitare Morinë (DVKM Kukës) dhe shtetasin I.T., banues në Tiranë
Ndërsa ndalim për të dalë jashtë shtetit dhe detyrim paraqitjeje u caktua për komisar D.S., shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Devoll, nënkomisar A.M., përgjegjës turni, Policia Kufitare Morinë, inspektor G.B., ndihmës specialist/kontrollor, Policia Kufitare Morinë dhe inspektor E.D., trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, RENEA.
Ata akuzohen për organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin dhe Shpërdorim detyre.
Persona iu sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.
Njoftimi:
AMP ekzekuton masat e sigurisë ndaj punonjësve të policisë dhe shtetasi
Në kuadër të operacionit “Last Bet” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar:
Masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;
Nënkomisar R.T., me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Inspektor E.K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Shtetasi I.T., banues në Tiranë
Masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 233 dhe 234 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;
Komisar D.S., me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll.
Nënkomisar A.M., me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Inspektor G.B., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Inspektor E.D., me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku nga veprimet e thelluara hetimore, rezultoi se shtetasit e mësipërm duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive, duke konsumuar elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 197/25 dhe 248 i Kodit Penal.
Në funksion të veprimeve proceduriale u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.


