“Do paguajnë me kokën e tyre”, gazetarja zbulon bisedën e Suel Çelës me Bujar Shegën pasi u zhdukën 1 ton kokainë
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar komunikimin mes Suel Çelës dhe Bujar Shegës pas zhdukjes së një ngarkese me rreth 1 ton kokainë, në trafikimin e të cilës ata ishin të dy të përfshirë.
Ajo tregoi se droga ishte planifikuar të nisej nga Ekuadori drejt Belgjikës, por u kap nga autoritetet ekuadoriane pas një informacioni të fshehtë. Droga u konfiskua para se të nisej, ndërsa anija mbërriti bosh në portin e destinacionit.
Lala e ftuar në emisionin "Kjo Javë" në News 24 zbuloi se pas zhdukjes së drogës, nisi një përplasje mes Çelës dhe Shegës, ku të dy kërkonin të kuptonin nëse ishin tradhtuar.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Personi që dyshohej për tradhti ishte nën presion për të sjellë prova se droga ishte kapur nga autoritetet, përndryshe do të paguante me jetën e tij,” tha Lala.
Ajo shtoi se Bujar Shega duhet të shihet si një figurë qendrore në këtë rrjet të organizuar, jo vetëm që ishte i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, por edhe kishte përfituar miliona nga tendera publikë në Shqipëri.
“Ka qenë një ngarkesë me 930 kg kokainë që do nisej prej Ekuadorit në Belgjikë. Bashkëfinancues i saj ishte Bujar Shega, i cili ishte dakordësuar me Suel Çelën për të trafikuar këtë sasi.
Autoritetet në Ekuador marrin një informacion që anija që do nisej kishte dyshime se ishte me drogë. Aty bllokohen 19 thasët me 930 kilogramë kokainë.
Droga bllokohet më pas dhe ata presin për mbërritjen e anijes në portin e fundit. Kontejneri del bosh dhe personi që kishte marrë përsipër nxjerrjen e drogës nga porti u thotë që është bosh.
Aty nis komunikimi mes Celës dhe Shegës. Cela i kërkoi Shegës të kërkojë këtë gjë. Personi që mund t’i kishte tradhtuar duhet të jepte prova se droga duhet të ishte kapuar nga autoritetet ose do të paguante me kokën e tij.
Ka një debat të fortë mes tyre dhe rezulton se pjesë e organizatës për këtë trafik ishin disa persona të grupit të Çelës.
Bujar Shega duhet të shihet si një person qendrore e krimit të organizuar në vend, pasi ka përfituar edhe nga tendera publikë në Shqipëri”, zbuloi Lala.