Divjakë/ Ndez zjarr për të pastruar tokën, por djeg 70 ullinj, arrestohet 41-vjeçari

Një 41-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Divjakës pasi dyshohet se shkaktoi një zjarr masiv në fshatin Kryekuq, duke dëmtuar dhjetëra rrënjë ullinj.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi D.T., banues në Kryekuq, kishte ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një sipërfaqeje toke pranë rezervuarit të fshatit. Flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën 70 rrënjë ulliri në pronësi të një banoreje të zonës.
Policia ndërhyri menjëherë duke vënë në pranga autorin e dyshuar. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme.
Policia apelon që qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve për çdo arsye, pasi veprime të tilla përbëjnë vepër penale. Çdo rast i ngjashëm mund të raportohet në numrin 112, duke u garantuar anonimatin dhe ndërhyrje të menjëhershme.


