Dhunuan brenda spitalit të Durrësit 32-vjeçarin që ruhej me policë, arrest me burg për 3 persona

Aktualitet

Dhunuan brenda spitalit të Durrësit 32-vjeçarin që ruhej

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për tre personat që kundërshtuan policinë dhe dhunuan në ambientet e spitalit të Durrësit një 32-vjeçar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e vonë të së hënës në urgjencën e spitalit, ku policia kishte dërguar për kontroll shëndetësor një 32-vjeçar nga Durrësi, që drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Shkaku i dhunës së ushtruar ndaj tij ishte një lidhje dashurie e kundërshtuar nga familja e vajzës. Babai dhe të afërm të saj, që dyshohet se e ndiqnin të riun, u futën në ambientet e spitalit dhe pasi kundërshtuan me forcë policinë, e rrahën atë duke e goditur me grushte në kokë dhe trup. Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë tre shtetasit me origjinë nga Dibra dhe banues në plazhin e Durrësit, ndërsa 32-vjeçari pasi ka marrë ndihmën e duhur shëndetësore dhe ka dhënë dëshminë e tij, është lënë i lirë.

 Gjyqtarja e seancës Entela Shedula, pasi dëgjoi palët, e vleftësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të babait 41-vjeçar të vajzës dhe dy të afërmve të tij 37-vjeçarë. Ata akuzohen për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësve të policisë” vepër e kryer në bashkëpunim, si dhe “plagosje të lehtë me dashje”.

Sipas të plagosurit, familja e vajzës nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe ai është kërcënuar me jetë nga babai i vajzës, i cili në telefon e ka kërcënuar se nëse nuk largohet nga Durrësi do ta vriste bashkë me të bijën.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion