Dhunuan fizikisht shefin e Krimeve në Sarandë, lihen në burg 6 badigardët

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 6 badigardët e “Orange” club, të cilët dhunuan fizikisht shefin e Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli. Marjo Katiraj 35 vjeç, Elgent Ndoj, 38 vjeç, Faik Hoxha 35 vjeç, Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç do duhet të qëndrojnë në qeli, deri në përfundim të hetmieve. Në kërkim për ngjarjen vijon të jetë Pjetër Doçi, 28 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të “Orange” club. Sipas njoftimit të policisë, rojet e sigurisë po konfliktoheshin fizikisht me disa persona të tjerë, kur Shefi i Krimeve ka qenë duke kaluar me automjet kur ka vënë re personat duke u konfliktuar.
Pas kësaj ai ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin, por situata është përshkallëzuar dhe rojet e sigurisë kanë goditur Bakallin.
Për këtë rast kanë ndërhyrë edhe efektivët e forcat “Shqiponja”, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe kanë shoqëruar pranë ambienteve të komisariatit disa persona.


