Dhuna ndaj avokatit, Sokol Mëngjesi tre ditë në intubim! Asnjë gjurmë nga 3 autorët

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, por mjekët janë optimistë pasi edema (ënjtje) që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar. Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.
Nga ana tjetër policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, por ende nuk ka gjurmë të 3 të shpallurve në kërkim. Kontrollet kanë vijuar pa u ndërprerë por pa rezultat. Sipas sistemit TIMS ata rezultojnë brenda vendit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale.
Avokati u vizitua në spitalin e Traumës nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv.drejtori Alket Shatro.
Mëngjesi u dhunua më 29 maj, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë vetëm pak minuta pasi kishte lënë djalin e vogël në kopsht. Një prej autorëve të vetëdorëzuar Dorian Alia, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.


