Dëme nga stuhia në Juglindje! Biznese nën ujë dhe bagëti të vrara nga rrufeja, probleme në Korçë e Pogradec

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga meteorologët dhe specialistët e emergjencave civile, një stuhi e fortë përfshiu disa qytete të vendit.
Në Elbasan reshjet e dendura kanë zgjatur për rreth 40 minuta, duke krijuar një shtresë të bardhë mbi rrugë dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Emergjencat raportojnë 40 mm shi e breshër për 38 minuta.
Disa bodrume u përfshinë nga uji ndërsa menjëherë ndërhynë ekipet zjarrfikëse. Po ashtu në qytet disa pemë u rrëzuan pa shkaktuar dëme. Sipas raportimeve stuhia përfshiu fshatrat përreth, por edhe bashkinë e Librazhdit dhe Përrenjasit. Në Korçë e rrethina po ashtu u regjistruar reshje të dendura breshëri dhe stuhi e shoqëruar me erë të fortë e cila zgjati vetëm pak minuta duke lënë pas dëme të vogla.
Një pemë u rrëzua ne qytet duke bllokuar trotuarin, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme. Një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja këtë të premte në fshatin Derdush në Pogradec.
Sipas të dhënave paraprake, kanë ngordhur rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera janë plagosur. Tufa, e përbërë nga rreth 190 krerë dele dhe dhi në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku ishte në shtegtim nga zona e Pirgut drejt kullotave malore, kur u godit nga rrufeja. Tashmë pas përfundimit të stuhisë ekipet kanë nisur verifikimet për dëme të tjera të mundshme.


