Del ekspertiza: Si tre efektivët e “Shqiponjave” qëlluan me armë makinën e qytetarit

Aktualitet

Del ekspertiza: Si tre efektivët e “Shqiponjave” qëlluan

Është zbardhur ekspertiza paraprake lidhur me ngjarjen e 3 efektivëve të forcave “Shqiponja” që kanë qëlluar me armë një automjet të tipit “Audi” në aksin Tiranë – Fushë Krujë.

Ngjarja ka ndodhur në 8 mars të këtij viti por efektivët e kanë fshehur ngjarjen e cila është zbuluar vetëm dy javë më parë.

Nga kqyrja e provave rezulton se plumbi që është qëlluar makina, ka dalë nga arma e shërbimit të efektivit Rezart Berberi, tashmë i shpallur në kërkim.

Gjithashtu dyshohet se drejt makinës mund të jetë qëlluar dhe nga dy efektivët e tjerë që kanë qenë sëbashku me Berberin, por gëzhoja është e dëmtuar dhe nuk mund të verifikohet.

Lidhur me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim që nga 24 shtatori Rezart Berberin dhe ka proceduar në gjendje të lirë dy efektivët e tjerë, Elton Dokollari dhe Fliruan Zeneli, në masën detyrim paraqitje, të cilët janë pezulluar nga puna.

Në makinë janë konstatur 6 vrima që dyshohet të jenë shkaktuar nga 3 plumba. Shtetasi ka bërë denoncimin në prokurori duke thënë se u ndalua nga efektivët për kontroll dokumentash. Ai vijon duke thënë se i ka dhënë dokumentacion e nevojshëm dhe ka kërkuar të largohet sepse kishte djalin në spital, fakt ky i verifikuar nga grupi hetimor.

Referuar dëshmisë së shtetasit, ai thonë se në këto momente njëri nga efektivët i drejton armën dhe i kërkon të zbresë nga automjeti pasi dyshonte se kishte armë në makinë. Ai pretendon se ka pranuar të zbresë nga makina por ka kërkuar të mos i drejtohet arma dhe më pas i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar nga vendngjarja.

Efektivët e kanë qëlluar me armë por nuk kanë bërë kallëzim të plotë në polici. Ata kanë dëshmuar për një shtetas i cili nuk i është bindur urdhërave të policisë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por kanë fshehur faktin që kanë qëlluar me armë drejt tij.

34 vjeçari Rezart Berberi është i shpallur në kërkim, ndërsa Elton Dokollari 46 vjeç dhe Fliruan Zeneli 37 vjeç, janë nën masën detyrim paraqitje, të dyshuar për shpërdorim detyre, moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion