Debat për administratën publike, PD: Angazhohet në aktivitete politike. PS: Çdokush është i lirë pas orarit zyrtar

Pjesëmarrja e punonjësve të administratës publike në aktivitete politike solli debate në Komisionin e Ligjeve. Opozita ngriti shqetësimin se punonjës të administratës angazhohen politikisht, madje sipas deputetit Oerd Bylykbashi, kjo vërejtje është bërë edhe në raportin IBAR për Shqipërinë.
“Ju keni punonjës që kanë përgatitur lista brenda dhe jashtë për zgjedhjet e kaluara parlamentare. Këtë problem, me sistemin e patronazhimit e ka sjellë në vëmendjen edhe raporti i IBAR”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike.
Përgjigjen e dha Ministrja e Antikorrupsionit dhe Administratës Publike, Adea Pirdeni, e cila u shpreh se ligji nuk ndalon asnjë zyrtar që të marrë pjesë në aktivitete politike pas orarit zyrtar.
“Më vjen keq që ulni punën e zyrtarëve të administratës publike, puna e së cilëve ka sjellë përparimin në procesin e anëtarësimit. Që ta dini, Zoti Bylykbashi, ligji lejon që edhe punonjës të administratës, sipas rregullave mund të marrin pjesë në aktivitete politike pas orarit të punës. Kjo duke respektuar ligjin”, u shpreh Adea Pirdeni, ministre e Antikorrupsionit dhe Administratës Publike.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, opozita kërkoi rregullim ligjor në mënyrë që të arrihet depolitizimi i plotë i administratës publike.


