40 vite krijimtari letrare - Lezha nderon poetin Preç Zogaj

Një mbrëmje e mbushur me art, emocion dhe kujtime i është kushtuar poetit dhe shkrimtarit Preç Zogaj në qytetin e tij të lindjes, Lezhë. Aktiviteti solli para publikut një përmbledhje të veprës së tij krijuese përgjatë katër dekadave, duke përfshirë periudhën nga viti 1984 deri në vitin 2024.
Mbrëmja artistike ndërthuri recitimin, muzikën dhe dialogun mes autorit dhe publikut, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese. Krijimtaria poetike e Preç Zogajt u interpretua nga emra të njohur të skenës shqiptare, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, të cilët sollën përmes interpretimit emocione, reflektime dhe kujtime të shumta për të pranishmit.
Një dimension të veçantë aktivitetit i dha muzika. Këngë të krijuara mbi tekstet poetike të Zogajt u interpretuan nga Frederik Ndoci, duke sjellë një ndërthurje të bukur mes poezisë dhe tingujve muzikorë.
Publiku e ndoqi me interes dhe vëmendje të gjithë programin artistik. Vetë autori e konsideroi këtë vlerësim dhe këtë afërsi me lexuesit si shpërblimin më të madh për veprën e tij shumëvjeçare.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili vlerësoi figurën dhe kontributin e Preç Zogajt në letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Ky organizim u shndërrua në një festë të artit dhe fjalës së shkruar, duke nderuar një nga emrat më të spikatur të letërsisë shqiptare bashkëkohore dhe duke rikthyer në vëmendje vlerat e krijimtarisë së tij ndër vite.