Celulari që pritet të fundosë më tepër “të fortin” e Lushnjës, SPAK merr në dorë telefonin e Laert Haxhiut

Aktualitet

Celulari që pritet të fundosë më tepër “të

Telefoni i Laert Haxhiut është sjellë në Laboratorin digjital të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burime për mediat konfirmojnë se celulari i cili ditë më parë iu gjet Haxhiu në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, është sjellë në kryeqytet pranë laboratorit të SPAK, ku dhe pritet që të zbërthehet për të parë dhe për të hedhur më tepër dritë mbi bisedat që “i forti” i Lushnjës ka bërë përgjatë ditëve që ndodhet në izolim.

Laert Haxhiu i cili prej disa muajsh vuan dënimin përjetë në burgun e Drenovës u hap më 29 qershor me celular në qeli.

Menjëherë pas gjetjes së këtij telefoni, autoritetet nisën hetimet për të zbuluar se si Haxhiu ka mundur që të fusë celularin në ambientet e këtij burgu.

Laert Haxhiu u ekstradua më 3 Korrik të vitit të kaluar nga Greqia një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj për ngjarje kriminale.

Haxhiu, kundërshtar i ish-kreut të bandës së Lushnjës Aldo Bare, u dënua përjetë për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi, mik i Bares, dhe Jurgen Hoxha.

Ata u qëlluan me automatik në një lokal në qendër të Lushnjes, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.

Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi.

ME TE LEXUARAT