Braho: Arrestimet do t’i bëjmë vetë! Kreu i SPAK tek “Zgjedhorja”: Strategji e re për krimet elektorale

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Klodian Braho deklaroi se SPAK-u do t’i bëjë vetë operacionet për arrestimin e personave në kërkim. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Braho pranoi shqetësimin e opozitës që persona në kërkim nuk ndalohen e ndikojnë në zgjedhje, duke vënë në dukje se ky është edhe shqetësim i vetë prokurorëve.
“Siç është një fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Sepse edhe ne kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë, apo të dënuar në mungesë, vendime të cilat nuk janë ekzekutuar dhe ky është një shqetësim real. Nuk dua të bëj dicka publike sot, por ajo që duan të them është që po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK për të qenë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Klodian Braho, kreu i SPAK.
Drejtuesi i SPAK deklaroi se prokuroria po sheh mundësinë që edhe përgjimet ti realizojë me hetuesit e saj.
“SPAK-u për kryerjen e përgjimeve të personave në vende publike, është i varur nga institucione të tjera, kryesisht është i varur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. SPAK-u synon që për një periudhë të shkurtër kohore të rekrutojë shërbime dhe të trajnojë hetuesit më tej për të qenë të aftë që në terren ne ti kryejmë vetë këto veprime”, shtoi Braho.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, Drejtuesi i SPAK-ut Klodian Braho deklaroi se për vitin e kaluar që ishte vit zgjedhor, u administruan 194 materiale, dhe prej tyre 5 procedime u dërguan në gjykatë. Këto shifra nuk e bindën opozitën e cila deklaroi se situata e krimit zgjedhor në 3 palë zgjedhjet e fundit është ashpërsuar.
“Pandëshkueshmëria që ndjejnë zyrtarët e lartë, politikë, shtetërorë; të cilët nëpërmjet blerjes së votave marrin pushtetin dhe më pas pushtetin e përdorin për të blerë votat, është gjeneratori bazë dhe më i fortë i korrupsionit të lartë shtetëror”, tha Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i PD në komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Nuk mund të pritet gjithcka nga një institucion i vetëm. A mund të kishim bërë ne ca gjëra më mirë? Patjetër! Mund të ishim organizuar më mirë, mund të ishim proaktivë, më planifikues etj. Por, jemi këtu aktualisht dhe ajo që duhet të bëjmë është sit ë plotësojmë ato mangësi organizative apo mangësi në burime”, u përgjigj Braho.
Braho kërkoi nga Parlamenti dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore disa ndërhyrje ligjore që do të ndihmonin prokurorinë në bëtejën kundër krimit zgjedhor.
Kreu i SPAK kërkoi ashpërsimin e ligjit në lidhje me dënimet për krimet zgjedhore, pasi nga analiza e dënimeve për këtë vepër penale në 5 vitet e fundit vihet re se personat që kanë kryer këto krime kanë përfituar nga alternativat e tjera të dënimit me burg.


