Bllokimi i hapësirës ajrore shqiptare nga defekti në Albcontrol / Reagon Aeroporti i Rinasit

Aktualitet

Bllokimi i hapësirës ajrore shqiptare nga defekti në Albcontrol /

Një defekt teknik ka shkaktuar fikjen e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror sot në orën 17:30, duke krijuar një situatë emergjente në hapësirën ajrore shqiptare, ka njoftuar këtë të premte për mediat Albcontrol.

Sipas njoftimit, menjëherë pas incidentit, ekspertët e Albcontrol kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme protokollare për të garantuar sigurinë e plotë të avionëve që gjendeshin në fluturim dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm është bërë e mundur që të shmangej bllokimi i trafikut ajror në hapësirën tonë.

Njoftim

Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.

Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.

TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.

Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.

Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.

ME TE LEXUARAT