Bizneset presin paqen fiskale, 5 mijë prej tyre përfitojnë nga falja e detyrimeve dhe gjobave në qytetin e Durrësit

Aktualitet

Bizneset presin paqen fiskale, 5 mijë prej tyre përfitojnë nga

Rreth 5 mijë biznese në Durrës pritet të përfitojnë nga paqja fiskale, një nismë që i lehtëson nga detyrimet e prapambetura.Edhe pse zbatimi ende nuk ka nisur për shkak të mungesës së akteve nënligjore, në Bashkinë e Durrësit kanë mbërritur 55 kërkesat e para.

“Pritet një udhëzim për zbatimin e ligjit, por ne kemi marrë masa konkrete për ngritjen e një komisioni për shqyrtimin e kërkesave. Subjektet përfituese duhet të aplikojnë pranë Bashkisë së Durrësit. Nga të dhënat e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, rreth 5000 subjekte rezultojnë përfituese në vlera të ndryshme”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë Durrës Gentian Kallmi.

Paqja fiskale është mirëpritur nga biznesi dhe Dhoma e Tregtisë, si një mundësi për të mbyllur detyrimet e vjetra.

“Efektet e paqes fiskale janë pozitive për cilindo biznes. Në rastin konkret nenet e ligjit janë shumë favorizuese për biznesin. Nga 2014-2024 falen të gjitha gjobat dhe kjo është shumë pozitive. Ne do tu ofrojmë konsulencën tonë (bizneseve) për ta kryer me sukses procedurën për të përfituar”, u shpreh kryetari i DHTi-së Durrës.

Ligji parashikon fshirjen e plotë të borxheve deri në vitin 2014 dhe falje të pjesshme për periudhën 2015-2019, në varësi të pagesave.

“Falet 50% e detyrimit nëse paguhet brenda qershorit dhe 25% deri në fund të vitit. Në të gjitha rastet falen gjobat dhe kamatëvonesat”, shprehet Gentian Kallmi.

Për vitet 2020-2024 parashikohet falja e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht shlyerjen e detyrimit kryesor. Afati për përfitim është deri në fund të këtij viti, ndërsa nga skema përjashtohen subjektet në hetim apo të dënuara për shkelje tatimore./Top Channel

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion