Salianji shpërthen ndaj Berishës: E mban Rama me para. Bashkëpunon me kriminelë!

Politikë

Salianji shpërthen ndaj Berishës: E mban Rama me para.

Më 23 maj, Sali Berisha do të jetë kandidat i vetëm në garën për drejtimin e Partisë Demokratike. Në një intervistë në rubrikën “Përballë Lajmit” në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, ish-deputeti Ervin Salianji ka ngritur akuza të rënda ndaj kreut të kësaj force politike.

Ai e akuzoi Berishën për lidhje me krimin.

“Ka probleme më të mëdha Sali Berisha me drejtësinë. Me këtë drejtësi, se për gjykatat ndërkombëtare, e kam nxjerrë sot vendimin e gjykatës britanike, që qartësisht në vendim e shpreh që Sali Berisha është i lidhur me grupe të krimit të organizuar dhe që i përdor këto grupe për influencën e vet politike, pra edhe këtë le ta vendosnin, por nuk e pengon as ligji, as statuti i partisë që të kandidosh në parti politike me këtë dënim.”, tha Salianji.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama i siguron Berishës përfitime si para, leje dhe koncesione, ndërsa shtoi se kreu i opozitës është i ekspozuar ndaj presioneve për shkak të dosjeve që mund të ketë ndaj tij.

“Realisht ne jemi në regjimin Rama-Berisha. Berisha mban në pushtet Edi Ramën, Rama i jep atë për të cilin Sali Berisha shet edhe shpirtin: paratë, lejet, koncesionet edhe mbrojtje të caktuara. Se thoshte sot, për shembull, që Lul Bravën e mbante Edi Rama peng me disa dosje. Po ky ka 100 dosje, po të jetë për atë punë, i ka dosjet kapicë. Sot Sali Berisha është i kapur nga Edi Rama”, tha Salianji.

Lidhur me garën për drejtimin e PD-së, Salianji e cilësoi procesin si jo politik, por administrativ, duke pretenduar se Berisha ka kontrolluar të gjithë mekanizmin e përzgjedhjes së kandidatëve. Sipas tij, janë përjashtuar emra të tjerë nga gara, janë caktuar listat dhe janë përdorur burimet financiare të partisë për aktivitete, duke e kthyer procesin në një formalitet ku kryetari aktual garon i vetëm.

“Unë do të kandidoj dhe e mund Sali Berishën. Dhe po e them prap. Me garë unë e mund. Këtu nuk jemi në një proces politik, jemi në një proces administrativ, ku Sali Berisha ka krijuar komisionin për të përzgjedhur kandidatët, ka përjashtuar kandidatët e tjerë, ka caktuar listat zgjedhore, ka përdorur burimet financiare të Partisë Demokratike për të bërë aktivitete dhe është vendosur, ashtu sikurse Kim Young Un, të jetë kandidat i vetëm. Rast unik në Europë ku një kryetar partie, sidomos në opozitë, kandidon i vetëm.”, deklaroi Salianji.

Ai shkoi më tej duke thënë se ky është: “Rast i parë në botë dhe do t’i ftoj ata të Guinness-it ta regjistrojnë, që një kryetar opozite krijon autokraci partiake dhe qëndron prej 36 vitesh në krye të një partie kur humbet.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion