"Nuk bashkojnë dot katër fjal "/ Rama për komentuesit në rrjetet sociale: Mua shëndet më bëhen sharjet e mallkimet

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar komentuesit në rrjetet sociale, duke thënë se mungesën e argumenteve e kompensojnë me sharje dhe pisllëk. Me anë të një postimi në Facebook, Rama tha se sharjet dhe mallkimet e tyre vetëm sa i shtojnë shëndet dhe vullnet. Sipas Ramës 'revolucionarët' që nuk dinë të bashkojnë dot katër fjali bashkë për të formuar një koncept kanë ndodtur debatin publik me fjalorin e tyre.
Kryeministri solli si shembull edhe rajonin e Camargue në Francë, për të cilin tha se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht. Sipas tij, modeli në Camargue dëshmon se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit, por mund të kthehet në një aset ekonomik që garanton ruajtjen e biodiversitetit dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Dy llafe si fillim për revolucionarët që hyjnë këtu dhe nëpër faqet sociale të kujtdo që mendon ndryshe prej tyre. Meqë nuk bashkojnë dot katër fjali bashkë për të formuar një koncept e kompensojnë boshllëkun me fjali bërtitëse, ku spikasin sharjet dhe thirrjet njërrokëshe: Lërini ambientalistët e vërtetë në punën e në të drejtën e tyre të protestës, lërini mbrojtësit dhe dashamirët e vërtetë të natyrës në punën e në të drejtën e tyre të protestës, lërini në të drejtën e tyre edhe qytetarët e shqetësuar, po patjetër lërini në rehatin dhe ngjyrën e tyre edhe flamingot, e mos ua bëni puplat bojëkafe me llumin e gjuhës së rrugës!
Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet e mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhelisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëk! Dhe tani një shembull tjetër. Kur flitet për ligatina, laguna dhe zona të mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur mënyra e vetme për t’i mbrojtur është t’i shkëpusësh nga jeta ekonomike. Por Camargue në Francë tregon një histori krejt tjetër. E vendosur në deltën e lumit Rhône, Camargue është një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh i jashtëzakonshëm me laguna, këneta, dunat bregdetare, kripore, flamingo rozë, kuajt e bardhë të famshëm të Camargue dhe qindra lloje shpendësh.
Një parajsë e biodiversitetit. Por njëkohësisht edhe një motor ekonomik. Sot Camargue është një destinacion ndërkombëtar me hotele butikë, restorante, marina, turizëm natyror, kalërim, vëzhgim shpendësh, prodhim tradicional të kripës dhe një ekonomi lokale që jeton pikërisht falë peizazhit që ka ruajtur. Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj. E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj. Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Madje ndonjëherë ajo është vetë zhvillimi.
Prandaj sot flamingot janë ende aty. Lagunat janë ende aty. Biodiversiteti është ende aty. Prandaj pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë. Sepse kur peizazhi bëhet pjesë e modelit ekonomik, njerëzit nuk janë më indiferentë dhe shpesh shkatërrues e ndotës të tij. Kanë interes ta mbrojnë. Dhe ky është mësimi i vërtetë i Camargue: Nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por se gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë.


