Arrestohet shqiptari në Mykonos, policia i zbulon drogën e fshehur mes gurëve

Policia greke në ishullin Mykonos ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve greke, i dyshuari kishte krijuar një mënyrë veçantë për fshehjen e lëndëve narkotike. Ai i mbante dozat e drogës në vende të fshehta mes gurëve dhe mureve prej guri, në mënyrë që t’i merrte dhe t’ua dorëzonte shpejt blerësve pa u zbuluar.
Arrestimi u bë pas informacioneve operative. 31-vjeçari u ndalua teksa lëvizte me një automjet me qira. Gjatë kontrolleve në makinë, banesë dhe në pesë vende të ndryshme ku fshiheshin lëndët narkotike, policia sekuestroi 36 doza kokainë; 6 doza “kokainë rozë”; 9 pako me rreth 60 gramë kanabis; një peshore elektronike; dy telefona celularë; 2.735 euro dhe 120 dollarë amerikanë.
Sipas policisë, shitja e sasisë së sekuestruar mund t’i sillte të dyshuarit të paktën 3.785 euro fitim. Autoritetet po hetojnë nëse ai është pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut të drogës që vepron në Mykonos.


