Arrestimet e bujshme të ish- zyrtarëve, Koçi thirrje SPAK: Kaloni edhe nga Fieri

Deputeti Petro Koçi ka folur për arrestimet e bujshme të SPAK, duke i bërë thirrje që kalojnë edhe nga Fieri. Përmes një postimi në Facebook, Koçi deklaron se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike duke përmendur edhe skemën që përdorin.
“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.
Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.
Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, thotë Koçi.


