Arjola Xoxa i përgjigjet opozitës: Mos baltosni Harabel! Unë do të fitoj vulën e pafajësisë!

Arjola Xoxa ka reaguar sërish lidhur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash që lidhen me qendrën Harabel. Xoxa shprehet se nuk është ajo drejtuese e kësaj qendre dhe se gjatë këtyre 7 viteve nuk ka përfituar shuma të mëdha parash për të cilat akuzohet
"Unë jam munduar gjithmonë të qëndroj në hije të Harabel, e kam ditur fort mirë se një kategori mediatike kërkon gjithmonë ta lidhë veprimtarinë time me Erionin. Ndërkohë e vërteta është që Erioni gjithnjë ka qëndruar larg dhe ka dyshuar shpesh se ky aktivizmi im social-kulturor do të më kthente në target. (Në të gjithë këto 7 vite të ekzistencës së Harabel apo 17 vite të punës time si juriste apo avokate, Erioni ka ardhur në zyrat tona vetëm 1 herë, po po, vetëm NJE herë, dhe atë herë ka ardhur për të sjellë djalin.)
Por unë s’kam dashur ta besoj se duhet t’i rrija larg pasionit tim për artin e kulturën, vetëm pse im shoq është politikan.
Shumëkujt mund t’i duket habi pse një avokate, me disa shkollime në drejtësi, merret me art. Kjo vjen sepse e gjithë familja ime është e përbërë nga artistë, dhe kur them e gjithë familja, dua të them E GJITHA. Në këtë habitat jam rritur dhe arti është si uji për peshkun për mua. Kam bërë edhe një master në Universitetin e Arteve të drejtuar nga Prof. Vladimir Myrtezaj në 2019-2021, të cilin e kam ndjekur me një përpikmëri kirurgjikale.
Nga të gjitha punët që kam bërë në jetë, dhe janë shumë, puna artistike me Harabel është ajo që kam dashur e dua më shumë. Më dhemb në shpirt kur baltoset puna e Harabel për arsye të ulëta politike e mediatike, në shpirt. Çfarëdo të thotë kushdo e të mundohet ta ulë punën tonë, e vërteta është kjo.
Po aq është fakt se kemi bërë një punë shumë të madhe e domethënëse për skenën kulturore shqiptare. Ata që na kanë ndjekur, e dinë. Të tjerët do ta mësojnë kur pafajësia ime të marrë vulën e drejtësisë", shprehet Xoxa.


