Apeli i Posaçëm dënon me burg Sali Hasën! Ish-prokurori do shkojë në qeli për të vuajtur dënimin

Aktualitet

Apeli i Posaçëm dënon me burg Sali Hasën! Ish-prokurori do

Gjykata e posaçme e Apelit ka dënuar me 2 vite e 4 muaj prokurorin e Sarandës Sali Hasa.

Apeli i Posaçëm i ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë që i ishte konvertuar dënimi me shërbim prove.

Pas këtij vendimi Hasa duhet të shlyej pjesën e mbetur të dënimit ta kryej në qeli.

VENDIMI I APELIT TË GJKKO-SË:

R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Tiranë, më datë 18.06.2025

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 18.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 19 akti, datë 18.02.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 23.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin S.H. – disponuar mbi ankimet e paraqitur ndaj vendimit nr. 36, datë 31.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin S.H. lidhur me deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;

Në zbatim të nenit 55, paragrafi 2, të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.H. dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim;

Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.H. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim;

Ndryshimin e vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën tjetër, në këtë mënyrë:

– Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin S.H.;

– Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, e lidhur me nenin 36, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit Penal, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit;

– Bazuar ne nenin 190, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,070,000 (një milion e shtatëdhjetë mijë) lekë dhe 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, t’i kthehen të pandehurit S.H.;

Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij;

U shpall në Tiranë, sot më datë 18.06.2025.

Ish-prokurori mori ryshfet për të pushuar procedimin penal

Ish-prokurori i Sarandës, u arrestua qershorin e vitit 2021 me urdhër të SPAK, pasi dyshohej se kishte pushuar një procedim penal ndaj një personi kundrejt marrjes së parave.

Sipas SPAK, ish-prokurori dyshohet se mori ryshfet nga Elsona Papa, motra e shtetasit Emiljano Mirani, një person që prokurori ishte nën hetim, duke i pushuar më pas çështjen.

Motër e vëlla u gjetën fajtor gjithashtu për korrupsion. Sali Hasa nisi të procedohej në vitin 2020. Atij iu gjetën në banesë 11 milionë lekë të vjetra dhe 2 mijë euro.

Po ashtu, GJKKO për këtë çështje ka dënuar edhe Emiljano Miranin me 2 vite e 6 muaj burg, Elsona Papa me 1 vit burg, Napolon Hodaj me 2 vite burg, Julian Zera me 1 vit e 3 muaj burg, Markelian Alinani me 3 vite e 6 muaj burg, Qerim Ruçi me 2 vite e 6 muaj burg, Bledar Hajredini me 2 vite burg.

 

ME TE LEXUARAT