Anulohet konkursi për drejtuesit e departamenteve në Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit ka anuluar procedurën e konkurrimit për pozicionin “Drejtor Departamenti”, duke pezulluar garën për emërimin e drejtuesve të tre departamenteve kryesore të institucionit.
Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi të datës 28 korrik 2026, ku thuhet se anulimi është vendosur në zbatim të ndryshimeve të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe në kuadër të procesit të ristrukturimit të institucionit.
Sipas njoftimit, anulohet procedura e konkurrimit e shpallur më 2 korrik 2026 për pozicionet e drejtorëve të Departamentit për Policinë Kriminale, Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Në argumentimin e vendimit thuhet se ndryshimet ligjore sjellin riorganizim të strukturës së Policisë së Shtetit dhe se anulimi bëhet për të garantuar “parimet themelore kushtetuese të ligjshmërisë, sigurisë juridike, transparencës, mosdiskriminimit, mundësive dhe shanseve të barabarta” për kandidatët.
Policia sqaron se procedura e konkurrimit anulohet “deri në momentin e implementimit të ndryshimeve ligjore”, çka lë të kuptohet se gara pritet të rihapet pasi të përfundojë ristrukturimi i institucionit.
Anulimi vjen vetëm pak javë pasi ishte shpallur thirrja për aplikime për këto poste drejtuese, ndërsa mbetet për t’u parë nëse procesi do të rifillojë me kritere të reja dhe mbi bazën e strukturës së re organizative të Policisë së Shtetit.


