Ankimoi konfiskimin e apartamentit, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-kreun e Kushtetueses Bashkim Dedja

Aktualitet

Ankimoi konfiskimin e apartamentit, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për konfiskimin e apartamentit të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, që akuzohet se e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. 

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 24.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ankimimi u bë ndaj vendimit të GJKKO në prill të vitit 2025 ku u konsfiskua apartamenti në pronësi të Dedjas.Në tetor, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Apelit të GJKKO dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rigjykim me një trup tjetër gjykues.

SPAK kishte kërkuar një vit burg me akuzën e fshehjes së pasurisë, por GJKKO-së e dënoi me 6 muaj, të cilat iu konvertuan në një vit shërbim prove. Sipas SPAK, Bashkim Dedja ka fshehur apartamentin në formularin e vetëdeklarimit. Ai u bë gjyqtari i parë që dënohej nga GJKKO, pasi nuk kaloi Vettingun për mosjustifikimin e apartamentit.

Njoftimi i plotë i Apelit të GJKKO: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 27.01.2026, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 5/260 akti, datë 11.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankues B.D. dhe L.D., ndaj vendimit nr. 5, datë 24.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:

“1. Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, regjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

2. Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit. 3. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.” Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 24.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen ankuesve solidarisht. U shpall më datë 27.01.2026.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion