I riu qëllohet për vdekje gjatë operacionit antidrogë në Milano, oficeri nën hetim për vrasje me dashje

Bota

I riu qëllohet për vdekje gjatë operacionit antidrogë

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Rogoredo të Milanos, zonë e njohur për trafikimin e drogës, ku një 28-vjeçar me origjinë marokene humbi jetën pasi u qëllua nga një oficer policie i veshur civil.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Via Giuseppe Impastato, gjatë një operacioni policor kundër trafikut të drogës. Sipas rindërtimit paraprak, efektivët e policisë po kryenin kontrolle dhe arrestime në zonë, kur një person u afrua drejt tyre duke mbajtur në dorë një objekt që dukej si armë zjarri. Pavarësisht urdhrit për t’u ndalur, ai vijoi përpara, çka e shtyu një nga oficerët të qëllonte.

Plumbi e goditi viktimën në kokë dhe rezultoi fatal. Shërbimet e urgjencës ndërhynë menjëherë, por i riu u shpall i vdekur në vend. Më pas u konstatua se arma që mbante viktima ishte një kopje e rreme e një pistolete Beretta 92.

Oficeri që hapi zjarr është vënë nën hetim për vrasje me dashje. Para prokurorit Giovanni Tarzia, ai deklaroi se kishte vepruar nga frika: “Jam ende në shok. Nuk mendoja se do të vrisja. Kur pashë armën, u frikësova dhe qëllova”, ka thënë ai, duke shtuar se errësira dhe distanca nuk i lejuan të kuptonte se arma ishte false.

Viktima, i identifikuar si Abderrahim Mansouri, ishte i njohur për forcat e rendit, me precedentë penalë për drogë, rezistencë ndaj policisë dhe grabitje. Hetuesit dyshojnë se ai kishte rol aktiv në rrjetin familjar të trafikimit të drogës që vepron prej vitesh në zonën e ashtuquajtur “xhungla e drogës” në Rogoredo.

Prokuroria ka hapur një çështje penale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të vlerësuar nëse veprimi i oficerit përbën vetëmbrojtje. Hetimet po vijojnë, ndërsa policia dhe mjekësia ligjore kanë sekuestruar prova në vendngjarje për rindërtimin e plotë të episodit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion