Alarmoi policinë për bombë në shkollë, Mandi Jatagani lihet me ‘detyrim paraqitje’: Do ta bëja sërish

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” për 47-vjeçarin Mandi Jatagani, i cili alarmoi
Policinë e Shtetit për një bombë në ambientet e shkollës “Emin Duraku” në Tiranë.
Prokuroria kishte kërkuar masën “Arrest në shtëpi”, por gjykata vendosi që Jatagani të hetohet në gjendje të lirë, nën masën “Detyrim paraqitjeje”.
Gjatë seancës gjyqësore, Jatagani ka deklaruar se do ta përsëriste të njëjtin veprim nëse materialet prej polisteroli do të vijonin të qëndronin në ambientet e shkollave, pasi sipas tij ato paraqesin rrezik.
47-vjeçari u arrestua nga specialistët e Njësisë Antiterror, nën dyshimin për veprat penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e të hënës, kur Jatagani telefonoi në numrin 112 dhe njoftoi policinë se në shkollën “Emin Duraku” kishte lëndë shpërthyese. Paralelisht, ai e transmetoi ngjarjen drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke deklaruar se bëhej fjalë për një “eksperiment” për të testuar gatishmërinë e forcave të rendit.
Pas alarmit, në shkollë u angazhua njësia anti-eksplozive, e cila kreu kontrollet përkatëse. Nga verifikimet rezultoi se njoftimi ishte i rremë dhe se në ambientet e shkollës nuk kishte lëndë shpërthyese apo rrezik për nxënësit dhe stafin.
Ngjarja ndodhi më 14 shtator, pikërisht në ditën e parë të shkollës, pak minuta përpara se nxënësit të uleshin në bankat e shkollës.


