E rëndë në Greqi, fëmijët ‘u harruan’ për pesë orë në autobusin e kopshtit

Bota

E rëndë në Greqi, fëmijët ‘u harruan’
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një fshat në zonën e Chania, në Kretë, ku dy fëmijë, 4 dhe 5 vjeç, dyshohet se kanë mbetur të mbyllur për rreth pesë orë në një autobus shkolle, pa u konstatuar nga shoqëruesja dhe drejtuesi i mjetit.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës, më 16 shtator. Dy fëmijët, të cilët ndjekin parashkollorin në një kopsht të zonës, u gjetën brenda autobusit të KTEL Chania-Rethymno, i cili kishte qëndruar i parkuar që prej mëngjesit.

Sipas denoncimeve të prindërve, gjithçka nisi kur një nënë shkoi për t'i çuar drekën fëmijës së saj, pasi ai do të qëndronte për herë të parë në programin e plotë ditor. Nga shkolla i thanë se fëmija nuk kishte qenë atë ditë.

Pas kërkimeve, drejtuesi i autobusit shkoi në vendin ku mjeti ishte parkuar, pak para orës 13:00, ku gjeti dy fëmijët brenda tij.

Prindërit kanë deklaruar se fëmijët ishin në gjendje të rënduar, të lagur dhe duke qarë. Sipas tyre, dy të vegjlit, që dyshohet se ishin ulur në pjesën e pasme të autobusit, nuk ishin vënë re kur fëmijët e tjerë zbritën në mëngjes.

“Fëmijët ishin të lagur dhe të përlotur, në gjendje të rëndë”, ka deklaruar një prind për mediat lokale.
Rasti ka shkaktuar shqetësim të madh te prindërit, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën e kontrollit të fëmijëve para se autobusi të lihej i parkuar.

“Fatmirësisht kishte freski për shkak të shiut. Çfarë do të ndodhte nëse do të ishte vapë?”, është shprehur një tjetër prind.
Drejtoria e Arsimit Fillor në Chania ka bërë të ditur se deri tani është informuar në mënyrë jozyrtare për ngjarjen dhe se do të ndërmarrë veprimet që i takojnë.

KTEL konfirmon ngjarjen: Shoqëruesja u largua nga detyra

Ngjarja është konfirmuar edhe nga presidenti i KTEL Chania-Rethymno, Giannis Kapsanaki. Ai deklaroi se shoqëruesja është larguar nga detyra pas incidentit.

Sipas tij, shoqëruesja ka pretenduar se fëmijët kishin fjetur dhe për këtë arsye nuk i kishte vënë re.

“Na vjen vërtet keq për ngjarjen dhe kërkojmë falje”, deklaroi Kapsanaki, duke shtuar se nga dita e ardhshme në atë linjë do të vendoset një shoqëruese tjetër.

ME TE LEXUARAT