Aksion si nëpër filma në Karaburun, sekuestrohen 577 kg kanabis në gomone, arrestohen tre persona

Aktualitet

Aksion si nëpër filma në Karaburun, sekuestrohen 577 kg kanabis

Policia e Vlorës ka arritur të sekuestrojë 577 kg kanabis në një gomone që ishte nisur për në Itali, ndërsa ka arrestuar tre persona, që dyshohen si trafikantë. Blutë njoftojnë se kanë ndjekur për orë të tëra gomonen, derisa arritën kapjen e saj.

Vlorë/ Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Karaburuni”, për goditjen e një tentative për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë.  Operacioni nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD. Vihen në pranga 3 shtetas.  

Sekuestrohen 577 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një mjet lundrues gomone. Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit të territorit dhe koordinimit të veprimeve  me QNOD, për kontrollin e hapësirës detare, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për bllokimin e një mjeti lundrues që dyshohej se kishte lëndë narkotike në bord.

Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia.

 Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

ME TE LEXUARAT