Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin në Elbasan/ Apeli rrëzon kërkesën për lehtësim mase dhe lë në qeli regjizorin Petri Bozo

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj regjizorit Petri Bozo, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të lehtë.
Vendimi është marrë pak ditë më parë, ndërsa Apeli ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit. Si pasojë, Bozo do të vijojë të qëndrojë në burg gjatë hetimeve për aksidentin me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 25 majit pranë shkollës së fshatit Mengël, në Elbasan. Fëmija, nxënës i klasës së parë, humbi jetën pasi u përplas nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo.
Sipas të dhënave të dosjes, 7-vjeçari ndodhej pranë rrugës së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë, kur ndodhi aksidenti fatal.
Me vendimin e Apelit, masa e sigurisë e caktuar nga shkalla e parë mbetet në fuqi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.


