Dy automjete përplasen në Durrës, njëra del nga rruga dhe përfundon në kanal (VIDEO)

Një aksident automobilistik është regjistruar pasditen e kësaj të marte në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Azem Hajdari”, në zonën e Ish-Kënetës, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Si pasojë e përplasjes, njëri prej mjeteve ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal pranë rrugës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Sipas burimeve, fatmirësisht drejtuesit e automjeteve ndodhen jashtë rrezikut për jetën, megjithëse kanë pësuar lëndime të shumta dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Banorët e zonës shprehen se ky segment rrugor është bërë problematik, pasi vetëm gjatë muajve të fundit tre automjete kanë përfunduar në të njëjtin vend.
Edhe pse bëhet fjalë për një rrugë lagjeje, drejtuesit e mjeteve lëvizin shpesh me shpejtësi të lartë, duke rritur rrezikun për aksidente.


